Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se, do ta përkrahin mocionin procedural për Projektbuxhetin e vitin 2021.
Sipas tij, kjo do të bëhet për t’i përkrahur interesat e vendit.
“Këto parti politike i kanë bërë sherr këtij Kuvendi, i kanë dëmtuar qytetarët e Kosovës. Me pas qenë mirë, Qeveria është dashtur ta votoj buxhetin në kohë e jo të vije në këtë situatë. Nuk e di pse një qeveri qëndron në pushtet kur nuk i ka numrat. Nuk jemi duke folur për Qeverinë, mirëpo jemi këtu për t’i përkrahur interesat e vendit. PDK do të jetë në përkrahje të mocionit procedural që të vazhdojmë tutje”, tha Hamza.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi në fillim të seancës ka kërkuar nga deputetet e Kuvendit që ta miratojnë Projektbuxhetin për vitin 2021.
“Njëra prej çështjeve është Projektbuxhetit të Kosovës. Duke marr parasysh se në çfarë gjendje jemi, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ta kalojmë këtë buxhet që institucionet e vendit të funksionojnë edhe pas shpërndarjes së Kuvendit”, tha Gashi.
Kjo seancë është ftuar me kërkesën e më shumë se 40 deputetëve, ku Lidhja Demokratike e Kosovës, që udhëheq me Qeverinë, po kërkon që buxheti të miratohet para se të mbahen zgjedhjet e reja.
Sipas projektimeve, buxheti për vitin 2021 pritet të jetë mbi 2 miliardë e 412 milionë euro. /Telegrafi/