Telegrafi

Hamza: Osmani s’e ka votën e PDK-së për presidente, nuk na është kërkuar kjo gjë

Nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë që Vjosa Osmani nuk do ta ketë votën e kësaj partie, për t’u zgjedhur presidente e Kosovës.

Hamza  ka thënë që kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe u.d e presidentes Vjosa Osmani nuk kanë kërkuar nga PDK-ja që të votojë për postin e presidentit.

“Ne e kemi pranuar një ftesë prej fituesit të zgjedhjeve, në këtë rast prej koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me Listën e Vjosa Osmanit. PDK-ja e ka diskutuar çështjen me organet e saj dhe në këtë takim ka shkuar Hoxhaj dhe Ismaili, sepse mendojmë që duhet të ketë një dialog mes pozitës dhe opozitës, që të kemi një mbarëvajtje rreth konstituimit të institucioneve, por që në të ardhmen ndoshta të krijohet edhe një kohezion i brendshëm për tema të caktuara për perspektivën e vendit”.

Hamza thotë se në takim me Kurtin dhe Osmani nuk është kërkuar që PDK të përkrahë zgjidhjen e presidentit.

“Kemi shkuar në takim. Disa prej qëndrimeve janë bërë publike, dhe i kemi shtruar 10 pika. Ka pasë bisedë në këtë takim dhe normalisht që edhe pala tjetër ka diskutuar dhe ka kërkuar që të ketë bashkëpunim, por në tema të caktuara siç është arsimi, politika e jashtme dhe ekonomia, por pa kërkuar një ndihmë apo një bashkëpunim direkt rreth zgjedhjes së presidentit të vendit. Nuk ka qenë kërkese e tyre që PDK-ja t’i përkrahë në zgjedhjen e presidentit. Sigurisht që ata i kanë kalkulimet e veta, por diçka që nuk ta kërkojnë është vështirë për me dhënë qëndrim të caktuar”, tha ai në Klan Kosova.