Promovimi i bizneseve dhe ndërmarrësve të suksesshëm në vend, është emisioni më i ri të cilin e ka nisur Telegrafi Maqedoni, i udhëhequr nga drejtori, Venhar Ramadani, së bashku me Odën ekonomike të Maqedonisë VeriPerendimore. Si të ftuar të parë kemi pasur Hamim Dauti nga kompania “Dauti Komerc”. Ai tregoi për vështirësitë dhe sukseset e kompanisë të cilën e menaxhon së bashku me vëllezërit e tij.
Hamim Dauti tha se kompania e cila sot është ndër më të suksesshmet në vend, ka nisur si ide brenda natës në një bashkëbisedim në mes vllezërve Dauti. Ai tregoi se sot ata veprojnë në katër shtete, ndërsa synim e kanë edhe tregun evropian.
“Dauti Komerc merret me distribuimin e produkteve të gatshme për harxhuesit e fundit, në segmentin e higjienës, ushqimit dhe kozmetikës. Dauti Komerc ka filluar brenda natës, në një bisedë në mes katër vëllezërve, duke analizuar se çka të bëjmë në të ardhmen. Ishin vitet e 90 kur ish-Jugosllavia lejoi themelimin e bizneseve private dhe në atë moment erdhëm te ideja të themlojmë biznesin tonë dhe ta zhvillojmë në të ardhmen”.
“Zhvillimin e Dauti Komerc mund ta ndajmë në dre dekada. E para është faza e themelimit të biznesit, krijimit të kapitalit fillestar, besimi për bashkëpunim dhe zgjerimi në tregun e Maqedonisë. Dekada e dytë fillon me vitin 99, pas largimit të Serbisë nga Kosova dhe hyrja e NATO-s në Kosovë. Dy ditë pas NATO-s u fut edhe Dauti Komerc në tregun e Kosovës. Dhe filloi zgjerimi i Dauti Komerc edhe jashtë Maqedonisë. Në vitin 2001 ishte zgjerimi në Mal të Zi dhe në vitin 2011 në Shqipëri”.
“Në dekadën e dytë kemi bashkëpunuar edhe me furnizuesit ndërkombëtar, të cilët na besuan në punën tonë. Pastaj në dekadën e tretë filluam të ndërtojmë kapacitetet magazinore në këto shtete dhe të mos vazhdojmë në objektet ku ishim me qira dhe me kushte shumë të vështira”, tha Hamim Dauti.
Sa i përket numrit të punëtorëve, ai tha se në Maqedoni kanë rreth 500 punëtorë, ndërsa në të gjithë vendet ku veprojnë kemi mbi një mijë punëtorë. Hamim Dauti theksoi se kompania e tyre ofron kushte mjaft të mira për punëtorët dhe se nuk ka pasur raste kur ata janë larguar për ndonjë kompani tjetër në vend.
Ai i këshilloi ndërmarrësit tjerë dhe të rinjtë që gjithmonë t’i përkushtohen punës, pasi siç theksoi, gjithmonë përkushtimi jep rezultate./Telegrafi/
Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun më poshtë: