Telegrafi

Hamasi publikoi një video që tregon momentin e lirimit të dy pengjeve – para lirimit, dy grave iu dhanë çaj dhe biskota

Dy gra të mbajtura peng nga Hamasi në Gaza janë liruar, sipas grupit palestinez dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC).

Një zëdhënës i krahut të armatosur të Hamasit tha se ato u liruan pas ndërmjetësimit nga Katari dhe Egjipti, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë Hamas publikoi një video që tregon momentin e lirimit të dy pengjeve. Ato janë parë duke ndarë çaj dhe biskota me luftëtarët e Hamasit përpara se t’u thonë lamtumirë.

Në një deklaratë të hënën, zëdhënësi Abu Obeida tha në kanalin Telegram të grupit se ato ishin liruar për “arsye humanitare dhe arsye të dobëta shëndetësore”.

Lirimi i dy pengjeve, 85-vjeçares Yocheved Lifshitz dhe 79-vjeçares Nurit Cooper, u konfirmua nga ICRC.

Siç supozohet, Hamasi ka marrë peng më shumë se 200 njerëz, gjatë një sulmi në jug të Izraelit më 7 tetor.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërkuar lirimin pa kushte të të gjithë pengjeve të mbajtur në Gaza.

Grupet e të drejtave të njeriut, organizatat ndërkombëtare dhe familjet e të burgosurve kanë kërkuar gjithashtu lirimin e menjëhershëm të tyre.

Lirimi i parë i pengjeve që nga sulmi i 7 tetorit ndodhi të premten, me Hamasin që liroi dy gra me nënshtetësi të Shteteve të Bashkuara, Judith Raanan dhe vajzën e saj Natalie, pas përpjekjeve të ndërmjetësimit nga Katari.

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Katarit tha se lirimi erdhi “pas shumë ditësh komunikimi të vazhdueshëm” me të gjitha palët e përfshira. /Telegrafi/