Një zyrtar i lartë i Hamasit ka mohuar të enjten një raport se udhëheqësi suprem i Iranit informoi udhëheqësin e grupit militant palestinez se Teherani nuk do të shkonte në luftë me Izraelin.
Duke cituar zyrtarë të paidentifikuar iranianë dhe të Hamasit, Reuters raportoi të mërkurën se udhëheqësi suprem iranian Ali Khamenei i tha liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh gjatë një takimi në Teheran në fillim të nëntorit se, për shkak të mungesës së njoftimit paraprak rreth sulmit të Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit, Irani nuk do të përfshihej në konflikt të drejtpërdrejtë me Izraelin në emër të grupit palestinez.
Sipas raportit, Khamenei u zotua të ofrojë “mbështetje politike dhe morale” për Hamasin, por përjashtoi ndërhyrjen e drejtpërdrejtë iraniane në luftën e vazhdueshme me Izraelin.
Thuhet se Khamenei gjithashtu i bëri presion Haniyehut për të heshtur zërat brenda Hamasit që avokonin për rritjen e angazhimit iranian dhe Hezbollahut në betejën kundër Izraelit.
Por udhëheqësi i Hamasit në Liban, Osama Hamdan, e hodhi poshtë raportin e Reuters si “gënjeshtër e pastër”, përcjell Telegrafi.
“Në vend që të japë informacion, kjo agjenci e lajmeve ka publikuar gënjeshtra të pavlera”, citohet të ketë thënë Hamdan në një intervistë me agjencinë shtetërore të lajmeve IRNA.
Ai tha se Hamasi nuk kishte dhënë asnjë deklaratë në lidhje me takimin e Khameneit me Haniyeh dhe shtoi se takimi simbolizonte “vazhdimin e marrëdhënieve të mira dhe të dallueshme midis Hamasit dhe Republikës Islamike të Iranit”.
Hamdan argumentoi se raporte të tilla synonin të dëmtonin imazhin e Hamasit dhe “boshtit të rezistencës” më të gjerë, një rrjet i grupeve militante rajonale të mbështetur nga Irani, duke përfshirë Hamasin, Hezbollahun e Libanit, milici të ndryshme në Irak dhe Siri dhe milicinë Houthi në Jemen.
Më 5 nëntor, IRNA raportoi se Khamenei dhe Haniyeh mbajtën një takim gjatë të cilit udhëheqësi i Hamasit e informoi Khamenein mbi zhvillimet e fundit në Gaza, duke përfshirë “krimet” e Izraelit në territorin palestinez, si dhe zhvillimet në Bregun Perëndimor. /Telegrafi/