Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë amerikane që mbështet propozimin e fundit të Izraelit për armëpushim dhe i bën thirrje Hamasit që ta pranojë ofertën.
Për rezolutën votuan 14 vende, nuk pati asnjë votë kundër ndërsa abstenoi Rusia.
Hamasi ka mirëpritur vendimin duke deklariuar se “është i gatshëm të bashkëpunonte me ndërmjetësit mbi zbatimin e parimeve të planit”.
Kujtojmë se plani i prezantuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, ka tre faza të ndryshme, raporton skynews.
Në fazën e parë, Izraeli do të lironte qindra të burgosur palestinezë dhe ushtria e vendit do të largohej nga pjesët e Gazës ku ndodhen banorët e kësaj enklavë palestineze.
Nga ana tjetër, Hamasi do të lironte disa nga izraelitët e rrëmbyer dhe përparësi do t’u jepej fëmijëve, grave dhe të plagosurve. Ai do të zgjaste gjashtë javë dhe gjatë kësaj periudhe do të ndaloheshin të gjitha aktivitetet e luftës.
Në fazën e dytë, ushtria izraelite do të largohej nga i gjithë territori i Rripit të Gazës dhe Hamasi do të lironte të gjithë pengjet e mbetura. Në atë pikë, sipas këtij plani, do të kishte një armëpushim të plotë.
Faza e fundit do të ishte rindërtimi i Gazës, e cila u shkatërrua plotësisht për shkak të armiqësive që po vazhdojnë që nga 7 tetori i vitit të kaluar. /Telegrafi/