Telegrafi

Hamasi heq dorë nga kërkesa kyçe, hapet rruga për armëpushim në Gazë

Shpresat për një armëpushim në Gazë janë rritur më tej pas raporteve se Hamasi ka dhënë miratimin fillestar të një propozimi të ri të mbështetur nga SHBA-ja për një marrëveshje armëpushimi me faza.

Zyrtarët egjiptianë dhe përfaqësuesit e organizatës militante islamike kanë konfirmuar se Hamasi ka hequr dorë nga kërkesa kryesore që Izraeli t’i jap fund plotësisht luftës.

Përpjekjet për të siguruar një armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gazë janë intensifikuar gjatë ditëve të fundit, me diplomacinë aktive të Uashingtonit, Izraelit dhe Katarit, i cili po udhëheq përpjekjet ndërmjetësuese nga Doha.

Vëzhguesit thanë se çdo përparim ishte i mirëpritur, por vunë në dukje se raundet e shumta të negociatave gjatë më shumë se shtatë muajve deri më tani nuk kishin arritur të sillnin sukses.

Me luftën gjithëpërfshirëse midis Izraelit dhe Hezbollahut në afërsi, dhe viktimat në Gazë ende në rritje, presioni për t’i dhënë fund luftës është i lartë, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

Një zyrtar i Hezbollahut tha javën e kaluar se grupi do të pushonte zjarrin sapo të hynte në fuqi çdo marrëveshje me Gazën, duke i bërë jehonë deklaratave të mëparshme.

Ndërkohë së fundmi, organizata e mbështetur nga Irani hodhi 200 raketa drejt Izraelit në hakmarrje për një sulm që vrau një nga komandantët e saj të lartë.

Siç raportohet, Shtëpia e Bardhë e ka përshkruar propozimin e fundit të Hamasit për armëpushim si një “përparim”.

Marrëveshja e propozuar do të përfshijë një fazë të parë për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, një tërheqje izraelite nga qytetet në Gazë dhe lirimin e të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli.

Fazat e mëtejshme thuhet se mund të përfshijnë lirimin e pengjeve të mbetur meshkuj, civilë dhe ushtarë, në këmbim të të burgosurve dhe të paraburgosurve palestinezë shtesë.

Përfundimisht, çdo peng i mbetur do të kthehet, duke përfshirë trupat e robërve të vdekur dhe do të fillojë rindërtimi i Gazës. /Telegrafi/