Grupi militant islamik Hamas “duhet të ndalet”, u tha gazetarëve udhëheqësi i shumicës në Senatin amerikan, Chuck Schumer, gjatë një vizite që synon të tregojë mbështetjen e SHBA-së për Izraelin.
Schumer kryesoi një delegacion pesë-anëtarësh dypartiak të Senatit, i cili u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, presidentin Isaac Herzog dhe familjet e qytetarëve amerikanë të mbajtur rob në Rripin e Gazës të bllokuar.
“Ne i themi këtë popullit izraelit: … ne ndjejmë dhimbjen tuaj dhe ne do të qëndrojmë pranë jush në këto kohë të vështira”, tha Schumer në një konferencë shtypi.
Ai u zotua se Uashingtoni do të mbetet “partneri i paepur” i Izraelit dhe tha se në takimin e senatorëve me zyrtarët izraelitë, ata diskutuan nevojat e Izraelit për të “mbrojtur veten” dhe “shuarjen e kërcënimit të Hamasit”, ndërsa bëri thirrje gjithashtu për përpjekje për “minimizimin e viktimave të civilëve”.
Takimi i tyre vjen në të njëjtën kohë kur Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u takua me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi pas mbërritjes në Kajro, ndalesa e parafundit e turneut të tij në Lindjen e Mesme.
Gjatë turneut, udhëheqësit arabë theksuan se katastrofa humanitare që rezulton nga një ofensivë tokësore izraelite do të destabilizojë potencialisht rajonin.
Në përpjekje për të parandaluar përhapjen e konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit në vendet e tjera të rajonit, Blinken do të kthehet në Tel Aviv të hënën për konsultime të mëtejshme me udhëheqësit izraelitë. /Telegrafi/