Anëtari i kryesisë qendrore të PDK-së, Muhamet Haliti që njëherësh është edhe nënkryetar i Degës së PDK-së në Pejë, ka thënë se vrasja e dyfishtë në Pejë nuk ka të bëjë me politikë.
Vrasja e dyfishtë që ka ndodhur mbrëmë në Pejë ku pas një përleshje, me armë janë vrarë mes vete kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës Astrit Ademaj dhe ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Deçanit më 2017, Blerand Kadrijaj, sipas Halitit se nuk ka ndonjë lidhje me politikë apo me zgjedhjet.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjes Ademaj dhe Kadrijaj për rastin tragjik.
Për KosovaPress ai ka theksuar se nga informatat e deritashme ngjarja nuk ka asnjë lidhje politike apo partiake.
“Së pari iu shprehim ngushëllime të sinqerta familjeve të Astritit e Blerandit. Nga ato që dihen deri tash, kjo ngjarje tragjike nuk ka asnjë lidhje me politikë apo me zgjedhje. Kërkojmë që organet e drejtësisë ta zbardhin sa më parë këtë ngjarje tragjike”, ka thënë Haliti.