Site icon Telegrafi

Haliti: Nëse demarkacioni nuk kalon, shtyhet liberalizimi i vizave

Kryetari i Komisionit parlamentar për Stabilizim-Asociim, Xhavit Haliti në mbledhjen e këtij komisioni ka thënë se nëse demarkacioni nuk kalon këtë vit, atëherë liberalizimi i vizave mund të shtyhet edhe për një kohë.

Haliti ka thënë Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet, me përjashtim të demarkacionit.

“Kam potencuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet nga BE, por çështja kryesore ka mbetur, miratimi i demarkacionit dhe kushte tjera nuk ka. Shqetësimi im i madh imi është se nëse demarkacioni nuk kalon këtë vit liberalizimi mund të shtyhet edhe për një kohë, për shkak edhe të zhvillimeve brenda BE-së, siç është dalja e Britanisë dhe kërkesa për referendume nga shtetet tjera për të dal nga BE”, ka thënë Haliti.

Edhe shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se demarkacioni është kusht për liberalizimin e vizave.

“Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për heqje të vizave dhe deklarimet se bënë edhe pa liberalizim janë të paqëlluara. Opozita po kundërshton edhe gjëra që janë të dobishme për vendit që e dinë edhe ata, por po kundërshtojnë vetëm se janë opozitë”, tha ai.

Ndryshe, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, po bisedohet për procesin e liberalizimit të vizave si dhe për përgatitjet e takimit të II-të të përbashkët të Komisionit për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, në Bruksel, 23-24 nëntor.

 

Exit mobile version