Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka mohuar se do të prishet koalicioni qeverisës PDK-LDK, në rast së nuk ratifikohet marrëveshja për demarkim të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.m
Sipas tij, s’ka asnjë arsye që të prishet koalicioni i PDK-së me LDK-në. Haliti u shpreh i bindur se “koalicioni, do të vazhdojë të funksionojë deri në fund të mandatit”, raporton gazetablic.com.
Ndërsa për çështjen e Demarkacionit, Haliti tha se “nëse grupet parlamentare arrijnë një marrëveshje të përgjithshme në lidhje me këtë çështje, pas analizimit të të gjitha argumenteve që lidhen me të, do të përfitonte Kosova”.
“Unë mendoj që Grupet Parlamentare do ta analizojnë situatën në të cilën jemi. Do ta analizojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare lidhur me shpalljen e pavarësisë, Pakon e Ahthisarit, Marrëveshjen e Vjenës, Deklaratën e Pavarësisë”, tha ai.
“Nëse politikisht analiza bëhet mirë, duke u bazuar në faktet që dalin nga këto marrëveshje, duke analizuar qëndrimet që ka Bashkësia ndërkombëtare sa i përket çështjes së demarkacionit të kufirit Kosovë – Mali i Zi, raportet aktuale në mes të dy vendeve tona, interesat e përbashkëta, e në veçanti interesat e Kosovës. Shpresoj që grupet parlamentare do të arrinin një konsensus, nga i cili do të përfitonte Kosova në rend të parë, por edhe rajoni”, tha Haliti.
Ndryshe, njohësit e çështjeve politike, kanë thënë se demarkacioni mund “ta rrëzojë” koalicionin PDK-LDK. /Gazeta Blic/