Telegrafi

Hajrizi: Gjatë akreditimit të programeve po përdoren standarde të dyfishta (Video)

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi ka thënë se gjatë akreditimit të programeve në institucionet e arsimit të lartë janë përdoruar standarde të dyfishta.

Hajrizi, në emisionin “Përballje” ka thënë se si është e mundur që kriteri i numrit të studentëve për dikë aplikohet e dikë tjetër jo.

Sipas rektorit të UBT-së, Agjencia e Akreditimit po humbet besimin me vonesat që po u bën shqyrtimit të aplikacioneve.

“Vitin e kaluar nuk janë shqyrtuar aplikimet tona (UBT). Ne kemi bërë investime dhe duhet të paguajmë rroga, laboratorë…”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Hajrizi ka thënë se Agjencia e Kosovës për Akreditim ekziston sepse ekzistojnë institucionet e arsimit të lartë, dhe AKA duhet të ndihmojë në zhvillimin e këtyre institucioneve dhe jo të jetë pengesë për to.

Rektori i UBT-së ka thënë cilësia është e matshme, dhe nuk mund të jetë çështje e interpretimeve subjektive.

“Ka mbi 10 mijë studentë me diploma që nuk po gjejnë punë. Kjo do të thotë se cilësia në Kosovë lenë për të dëshiruar”, tha ndër të tjera Edmond Hajrizi./Telegrafi/