Serbia dhe Mali i Zi ka të ngjarë të hyjnë më parë se të vendet e tjera në Bashkimin Evropian, ndoshta para vitit 2025, thotë Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për anëtarësimin në një intervistë për agjencinë Reuters.
Bashkimi Evropian po nis një përpjekje diplomatike që synon përshpejtimin e hapave për anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE pas disa viteve gjatë të cilave janë shënuar hapa përpara por edhe prapa.
Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia shpresojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian, por shanset e anëtarësimit të tyre vitet e fundit janë zbehur, pasi politikanët e BE-së duket se po humbasin interesin. Arsyeja? Euroskeptizmi në rritje, kriza e eurozonës në vitet 2009-2013 dhe vota e Britanisë për t’u larguar nga blloku.
Megjithatë, rritja e ndikimit rus, kriza e emigracionit, rrëshqitja e Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimi për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë në vitin 2019, paraqesin një shans të ri për Ballkanin.
“Ose ne si Bashkim Evropian do të eksportojmë stabilitet ose do të importojmë paqëndrueshmëri”, tha komisioneri Hahn, duke argumentuar se procesi i pranimit në BE është mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe kërcënimin e autoritarizmit.
Pengesat për përmbushjen e kushteve të anëtarësimit janë megjithatë të shumta.
Sistemet bankare dhe gjyqësore në të gjashtë vendet e Ballkanit janë të dobëta dhe të ardhurat në rajon janë sa 30 përqind e atyre në eurozonë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Rajoni ende bart plagët e konflikteve etnike që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë në vitet 1990.
Bosnja mbetet thellësisht e ndarë. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e akuzon atë se po kërkon luftë me Beogradin. Mali i Zi mbeti i zhytur në krizë politike në pjesën më të madhe të vitit 2017.
Strategjia e BE-së mbështetet tek ideja që Serbia dhe Kosova të arrijnë një “normalizim të marrëdhënieve” deri në fund të vitit 2019, sipas një projektplani të BE-së për Ballkanin, të raportuar nga agjencia Reuters.
Por zoti Hahn pranon se vrasja e udhëheqësit serb të Kosovës Oliver Ivanoviç flet për vazhdimin e paqëndrueshmërisë në rajon.