Telegrafi

Haalandi i rekordeve, City nëpërkëmb Leipzigun dhe vazhdon në çerekfinale

(Foto: Twitter/Manchester City)

Manchester City e ka nënshtruar RB Leipzigun në Etihad Stadium (7-0) në ndeshjen kthyese të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.

Sfida e parë e zhvilluar në Red Bull Arena përfundoi me rezultat të barabartë (1-1) dhe pas ndeshjes kthyese, skuadra angleze vazhdon në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm prej 8-1.

Citizens i dhanë fund dyshimit për fituesin që në pjesën e parë dhe golashënuesi kishte vetëm një emër – Erling Haaland.

(Foto: Twitter/Manchester City)

Norvegjezi realizoi het-trik duke nisur nga pika e bardhë (22’), pas një goditje të Kevin De Bruyne që u përplas në shtyllë dhe shkoi te ai (24’) dhe duke shfrytëzuar një kaos të krijuar në zonë (45’+2).

Akoma më i furishëm ishte fillimi i fraksionit të dytë. Jack Grealish asistoi te Ilkay Gundogan, i cili u tregua i saktë (49’).

(Foto: Twitter/Manchester City)

U rikthye Haaland me golin e katërt personal (54’) dhe të pestin për skuadrën e tij në këtë mbrëmje të jashtëzakonshme duke shfrytëzuar një top nga Manuel Akanji.

Gjithmonë në vendin e duhur në kohën e duhur, sulmuesi norvegjez vazhdoi të shënonte dhe ky ishte goli i gjashtë i Citizens, ndërsa i pesti për sulmuesin në këtë mbrëmje.

Rezultatin përfundimtar (7-0) e vendosi Kevin De Bruyne duke realizuar në minutat shtesë (90’+2) pas asistimit nga Riyad Mahrez.

Falë këtij triumfi të jashtëzakonshëm, Manchester City është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/