Ilkay Gundogan beson se Xavi meriton vlerësime te Barcelona për fitimin e titullit të La Ligës dhe Superkupës së Spanjës në një moment të vështirë për klubin. Dhe për ndërtimin e një ekipi që luan futboll joshës si ai i Pep Guardiolës.
Xavi ka qenë shpeshherë pjesë e kritikave që nga marrja e drejtimit të Barcelonës, por ka nga ata që e përkrahin.
I tillë është mesfushori gjerman, Gundogan, i cili erdhi këtë verë si lojtar i lirë nga Manchester Cityt.
“Xavi është vërtet i mirë. Ai e ka dëshmuar këtë. Me të gjitha vështirësitë që po kalon klubi, fitimi i La Ligës dhe Superkupës së Spanjës ishte një sukses i madh. Mendoj se merita kryesore i takon trajnerit”, ka thënë fillimisht Gundogan për El Pais.
“Kur shoh Xavin të flasë para dhe gjatë ndeshjeve, ka shumë gjëra që janë të njëjta me mënyrën se si i shoh unë ose si isha mësuar ta bëja me Pep në City. Ne po luajmë futboll të mirë. Jam i impresionuar me Xavi”, përfundoi mesfushori.
Gundogan ka qenë një lojtar kyç për Xavin që kur ai u transferua te Barça nga Manchester City në verë.
Maestro gjerman pritet të kthehet në formacionin titullar kur Barcelona të përballet sot (e martë) me Antwerp në Camp Nou në kuadër të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/