Site icon Telegrafi

Guerot: Franca kërkon nga Kosova periudhë të mjaftueshme tranzitore për çështjen e dinarit dhe të jetë temë në dialog

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot. Foto: Ridvan Slivova

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, në një intervistë ekskluzive për Telegrafin ka folur për zhvillimet e fundit në vend, reagimet ndërkombëtare për çështjen e dinarit serb në Kosovë, çështjen e  Asociacionit të komunave me shumicë serbe e vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Diplomati francez duke folur për çështjen e valutës serbe dinar në  Kosovë tha se duhet të ketë një “periudhë të mjaftueshme tranzitore dhe që kjo temë të diskutohet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas tij kjo “është një çështje kyçe lidhur me kërkesat për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian”.

“Na vjen keq që ky vendim duket se nuk ka qenë objekt i konsultimeve paraprake para publikimit të kësaj rregulloreje të re”, tha ai.

Intervista e plotë:

Telegrafi: Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova një periudhë më të gjatë dhe tranzitore për Rregulloren e re të BQK-së lidhur me dinarin serb – cili është qëndrimi i Francës dhe çka janë kërkesat specifike?

Ambasadori Olivier Guérot: Ashtu sikurse partnerët tanë, ne bëjmë thirrje që të vendoset një periudhë e mjaftueshme tranzitore dhe që kjo temë të diskutohet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dëshirojmë që autoritetet kosovare të marrin parasysh sa më shumë efektet që kjo mund të ketë për qytetarët që u përkasin pakicave, serbëve të Kosovës, por jo vetëm. Ne i kushtojmë vëmendje të veçantë karakterit multietnik të Kosovës dhe të gjitha garancive që duhet të kenë pakicat. Këto garanci duhet të zbatohen konkretisht dhe duhet të ushqehet dialogu mes komuniteteve dhe qeverisë. Kjo është një çështje kyçe lidhur me kërkesat për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian. Na vjen keq që ky vendim duket se nuk ka qenë objekt i konsultimeve paraprake para publikimit të kësaj rregulloreje të re. Është e rëndësishme që qytetarëve të interesuar t’u ofrohen alternativa konkrete dhe praktike në mënyrë që përditshmëria e tyre të mos ndikohet negativisht, qoftë edhe përkohësisht. Është kjo periudhë konsultimesh që dëshirojmë ta shohim të hapet me zbatimin e rregullores së re për përdorimin vetëm të euros, vetëm në fund të saj, për shembull pas disa muajsh, pasi të zbatohen aranzhimet/marrëveshjet e nevojshme. Dispozitat e tjera të saj në lidhje me falsifikimin nuk paraqesin të njëjtat vështirësi.

Telegrafi: Qeveria po thotë se po zbatohet  kushtetuta e Kosovës në rastin e dinarit dhe se euro është valutë e vetme zyrtare në Kosovë- cili është komenti për këtë?

Ambasadori Olivier Guérot: Kushtetuta parasheh në nenin 11 të saj qarkullimin e një valute të vetme në Kosovë. Ne e njohim mirë këtë Kushtetutë, sepse siç e dini, ne e përkrahëm pavarësinë e Kosovës dhe ishim ndër të parët që e njohëm shtetin. Rregullorja sjell progres edhe në çështje të rëndësishme si lufta kundër financimit të krimit të organizuar dhe transparencë më e mirë e qarkullimeve financiare. Dhe gjithashtu dua të kujtoj se ne mbështesim qartë pavarësinë e Bankës Qendrore. Ajo është një element themelor i demokracive tona perëndimore dhe është në qendër të acquis evropiane.

Do të doja të sqaroja se mënyra se si zbatohet rregullorja i takon qeverisë dhe jo Bankës Qendrore. Nuk shoh asgjë në Kushtetutë që do t’i pengonte autoritetet e Republikës së Kosovës që të bëjnë konsultime të gjera para se të ndërmarrin masa që konkretisht ndikojnë në jetën e qytetarëve të caktuar.

Telegrafi: Si e shihni zgjidhjen për këtë temë?

Ambasadori Olivier Guérot: Ne besojmë se konsultimi duhet t’i paraprijë zbatimit. Është shumë e preferueshme të shmangni marrjen e vendimeve të tilla të rëndësishme pa përgatitje, informim dhe propozim të alternativave. Pushteti publik në një demokraci evropiane nuk është vetëm fuqia për të imponuar ose ndaluar, por është gjithashtu fuqia për t’i bërë të pranueshme ndryshimet nga një popullatë e ngritur/vetëdijësuar/edukuar që respekton rregullat e përbashkëta. Zgjidhjet ekzistojnë. Konkretisht, dialogu ofron një kornizë të përshtatshme për gjetjen e tyre dhe diskutimin me autoritetet kompetente të Serbisë. Për më tepër, nëse do të kishim një asociacion të komunave me shumicë serbe, një pjesë e problemit tashmë mund të ishte zgjidhur, sepse është pikërisht një nga qëllimet e asociacionit që financimi i Serbisë të bëhet transparent dhe i gjurmueshëm për të mirën e sistemit arsimor dhe shëndetësor.

Telegrafi: Së fundi ka dal në publik drafti i propozuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, a mund të ndani me neve qëndrimin e Francës për këtë?

Ambasadori Olivier Guérot: Franca mbështet plotësisht statutet e propozuara për asociacionin të bëra nga BE-ja. Ky propozim është në përputhje me kornizën ligjore kosovare dhe garanton institucionet funksionale. Kosova ka marr angazhime për themelimin e këtij asociacioni që nga viti 2013 dhe është koha e fundit që të ecim përpara në bazë të këtij projekti shumë të mirë dhe me mbështetjen e partnerëve të Kosovës. Ne duam të njëjtën gjë si Kosova: një vend që funksionon dhe zhvillohet për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj. Dhe e duam atë tani.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot. Foto: Ridvan Slivova

Telegrafi: Si shihet nga Franca ecja e dialogut Kosovë- Serbi në fazën që ka mbetur?

Ambasadori Olivier Guérot: Kosova ka shumë për të fituar nga dialogu. Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit përbëjnë një hap të madh përpara që Kosova dhe qytetarët e saj kanë shumë interes për ta zbatuar. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i domosdoshëm sepse edhe pse koha kalon, gjeografia nuk ndryshon. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm për këto dy vende, por edhe për anëtarësimin tuaj në Bashkimin evropian, të cilit Kosova synon t’i bashkohet. Këto marrëveshje Bruksel-Ohër ofrojnë mbështetje të konsiderueshme për Kosovën dhe zhvillimin e saj socio-ekonomik. Populli i Kosovës dëshiron perspektivë më të mirë për veten, për fëmijët dhe kjo është pikërisht ajo që ne po ua ofrojmë.

Telegrafi: A pritet të hiqen masat sanksionuese ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe a do të ndikojnë zgjedhjet në BE në dialogun Kosovë – Serbi?

Ambasadori Olivier Guérot: Ju referoj në deklaratën evropiane të Bratislavës më 3 qershor: jo të gjitha kushtet janë përmbushur. Është e rëndësishme që shpejt të bëhen përpjekjet e nevojshme, po mendoj në veçanti organizimin e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, në mënyrë që në raportin e ardhshëm të BE-së të shihet se janë plotësuar kushtet për heqjen e masave. Ka një dritare mundësie për t’u shfrytëzuar përpara rinovimit të institucioneve evropiane. Kjo do t’i mundësonte ekipit të ardhshëm të fokusohet në çështje të tjera të rëndësishme për Kosovën. Dinamika aktuale e zgjerimit është një mundësi për t’u shfrytëzuar. Kosova e ka vendin e saj brenda BE-së dhe tani është koha për të bërë përpjekjet e nevojshme për ta konfirmuar atë./Telegrafi/

Exit mobile version