Pep Guardiola ka thënë se Mikel Arteta ka mundur të ishte pasardhësi i tij te Manchester City nëse do të kishte më shumë durim.
Trajneri i tanishëm i Arsenalit ishte asistent i strategut të Citizens gjatë viteve 2016-2019. Ai u largua duke marrë drejtimin e skuadrës tjetër angleze në vitin 2019 pas shkarkimit të Unai Emery.
Arteta e ka ringjallur Arsenalin që këtë sezon është duke e kërkuar titullin e Ligës Premier pas shumë vitesh, ndërsa Guardiola pohon se po të ishte larguar më herët, ai do të ishte pasues i tij në Etihad Stadium.
“Jam shumë i sigurt se po të largohesha më herët, ai do të ishte këtu dhe do të ishte më i miri, absolutisht”.
“Por, unë e vazhdova kontratën, më vjen keq dhe ai nuk priti, prandaj nuk ka ndodhur, por padyshim (që do të kishte ndodhur)”, është shprehur Guardiola në konferencën për shtyp.
Manchester City dhe Arsenali të premten zhvillojnë ndeshjen e raundit të katërt të Kupës FA. /Telegrafi/