Pep Guardiola është deklaruar pas triumfit të dytë rresht në Ligën Premier, duke fituar kështu edhe titullin e gjashtë në histori të Manchester Cityt.
Trajneri spanjoll ka thënë se ai ka fituar tituj në Spanjë e Gjermani, por ky titull ishte më i vështirë deri më tani në karrierën e tij, pasi Liverpooli ua ka vështirësuar punët deri në ndeshjen e fundit.
Guardiola e ka falënderuar skuadrën e Jurgen Kloppit për garën e zhvilluar në këtë sezon të Ligës Premier, duke shtuar se u kanë ndihmuar që ta rrisin cilësinë dhe standardin edhe më shumë.
“Ishte një sezon tejet i vështirë. Ne punuan shumë, duhet ta falënderojmë Liverpoolin, sepse na ka ndihmuar të shtyjmë përpara e të rrisim standardin tonë nga sezoni i shkuar”, ka thënë Guardiola pas ndeshjes.
“Ishte titulli më i vështirë që kam fituar në karrierë. Të marrësh 198 pikë për dy sezone është e mrekullueshme. Për të fituar titullin na u desh të fitonim 14 ndeshje rresht – e dinim që para tre muajsh se s’mund të lëshonim më pikë”, ka shtuar më tej.
Manchester City arriti të shpallej kampion me 98 pikë, vetëm një më shumë se Liverpooli, duke shkruar histori në Ligën Premier, pasi më parë nuk kishte ndodhur që një skuadër të kishte 97 pikë dhe mos ta fitonte titullin. /Telegrafi/