James Rodriguez është bërë një emër i nxehtë për afatin kalimtar veror.
Mesfushori kolumbian po përjeton një sezon më shumë lëkundje te Real Madridi, ku në shumicën e kohës është një rezervistë, por që e tregon vetën shpeshherë kur inkuadrohet në lojë.
Klasi dhe aftësitë e tij, por edhe situata e komplikuar te “Mbretërit” ka bërë që shumë klube të vihen pas shërbimeve të tij, ku ndër më të interesuarat janë skuadrat angleze.
Është Manchester United dhe trajneri i tyre, Jose Mourinho, që kanë shprehur tash e sa kohë interesim për të transferuar kolumbianin, i cili shihet si zëvendësues ideal i Wayne Rooney, që pritet të largohet në fund të sezonit dhe t’ia lë të lirë fanellën me numër 10.
Megjithatë, sipas okdiario.com, “Djajtë e Kuq” dhe Mourinho tani kanë një rival shumë të fortë për yllin e Real Madridit, përcjell Telegrafi.
Rivalët e urryer, Manchester City dhe Pep Guardiola janë gjithashtu admirues të Jamesit, me Cityin që thuhet se është përputhur me ofertën e raportuar nga Unitedi prej 80 milionë eurove. /Telegrafi/