Themeluesi i grupit të fshehtë mercenar rus Wagner është shfaqur në pamjet e zbuluara duke u përpjekur të rekrutojë të burgosur për të luftuar në Ukrainë.
Në pamjet e filmuara, të verifikuara nga BBC, shihet Yevgeniy Prigozhin duke iu drejtuar një grupi të madh të të arrestuarve, përcjell Telegrafi.
Prigozhin u tha të burgosurve se dënimet e tyre do të zvogëloheshin në këmbim të shërbimit me grupin e tij.
Videoja do të konfirmonte spekulimet e gjata se Rusia shpreson të rrisë forcat e saj duke rekrutuar të dënuar.
Ndërsa ligji rus nuk lejon ndryshimin e dënimeve me burg në këmbim të shërbimit si mercenar, Prigozhin këmbënguli që “askush të mos kthehet prapa hekurave” nëse shërben me grupin e tij.
“Nëse shërben gjashtë muaj (në Wagner), je i lirë”, citohet të ketë thënë.
https://www.youtube.com/watch?v=_jSi6BbsoRo
Por ai paralajmëroi rekrutët e mundshëm kundër dezertimit dhe tha “nëse arrini në Ukrainë dhe vendosni se nuk është për ju, ne do t’ju ekzekutojmë”.
Ai gjithashtu informoi të burgosurit për rregullat e Wagner që ndalojnë alkoolin, drogën dhe “kontaktet seksuale me gratë vendase, florën, faunën, burrat – çdo gjë”.
Është e paqartë se kush e ka filmuar videon, kur ka ndodhur apo si është publikuar.
Çfarë është Grupi Wagner?
Më vete, burime konfirmuan për shërbimin rus të BBC-së se personi në video ka të ngjarë të ishte Prigozhin.
“Ky është zëri i tij. Intonacioni i tij. Fjalët dhe mënyra e të folurit… Jam 95 për qind i sigurt se ky është ai dhe ky nuk është një montazh”, ka thënë një burim për BBC, përcjell Telegrafi.
“Shumë i ngjashëm, mënyra e tij dhe zëri i tij është shumë i ngjashëm”, tha një tjetër.
Kompania e vetë 61-vjeçarit, Concord, refuzoi të mohonte se ai u shfaq në pamje, duke vënë në dukje ngjashmërinë “monstruoze” kur iu afrua nga media shtetërore ruse.
Prigozhin, i cili është një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, ka mohuar më parë lidhjet me grupin Wagner, forcat e të cilit janë dislokuar në Ukrainë, Siri dhe disa konflikte afrikane.
Por në video, oligarku shihet duke u thënë të burgosurve se është “përfaqësues i një kompanie private lufte”.
“Ndoshta e keni dëgjuar emrin – Grupi Wagner?”, pyet ai grupin e të burgosurve.
Origjina e grupit Wagner është e errët, por besohet se është formuar nga një ish-oficer i ushtrisë ruse, Dmitri Utkin. /Telegrafi/