Telegrafi

Kurti njofton Grupin parlamentar të Vetëvendosjes për negociatat me LDK-në për formimin e Qeverisë

Grupi i ri parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur sot mbledhjen e parë, në të cilën kryetari LVV-së, Albin Kurti, i ka njoftuar deputetër e këtij subjekti politik për procesin negociator me LDK-në për krijimin e qeverisë.

“Nën kryesimin e kryetarit, Albin Kurti, sot u mbajt mbledhja e parë e Grupit të ri Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Me këtë rast u shpreh urimi i fitores të gjithë deputetëve si grupi më i madh parlamentar në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e bërë nga LVV, transmeton Telegrafi.

Tutje në njoftim thuhet se pjesë e diskutimit të mbledhjes ishte edhe procesi negociator për krijimin e qeverisë, me ç’rast kryetari Kurti i ka njoftuar deputetët me arritjet dhe sfidat për krijimin e koalicionit të ri qeverisës.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të cilat janë mbajtur më 6 tetor. LVV dhe LDK janë duke vazhduar takimet drejt arritjes së një koalicioni qeverisës./Telegrafi/