Site icon Telegrafi

Grup i strukturuar kriminal dhe trafik narkotikësh, SPAK dërgon për gjykim 13 persona

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka përfunduar hetimet dhe dërguar në gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, procedimin penal të vitit 2020, në ngarkim të 13 personave.

Konkretisht për gjykim janë dërguar: Bujar Sefa (Xaka), Skënder Velja, Lavdërim (alias Lulzim) Alimani, Vaid Taka, Edison Xaka, Xhemal Zogu, Asim Pulaci, Saba Shehi, Armand Dervishi, Agron Asllanaj, Shkëlqim Ismaili, Ahmet Pulaci dhe Haxhi Murati, të akuzuar për disa vepra penale.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se kultivimi i disa parcelave me bimë narkotike kryhej nga 2 grupe kriminale të organizuara në disa zona të bashkisë Krujë, Njësia Administrative Cudhi, fshatrat Noj, Shkretë, Rranxë, Bruz Mal, Bruz Zall, zona këto kufitare me njëra-tjetrën.

Grupet kriminale që kanë vepruar në këtë zonë, jo vetëm që njihen mes tyre por kanë dijeni dhe për aktivitetin e njëri-tjetrit, kanë patur mbështetjen e strukturave të policisë vendore si dhe ato të administratës lokale, kryesisht punonjësve të policisë dhe kryepleqve të përfshirë dhe ato në aktivitetin e kultivimit.

Kultivimi kryhej kryesisht në sipërfaqe tokash me pyll në pronësi shtet, të cilat shfrytëzohen për kullotë nga banorët e zonës.

Nga aktet e administruara dhe analizuara për interesa të këtij procedimi penal, ka rezultuar se drejtuesit e këtyre grupeve kriminale me qëllim kujdesin dhe ruajtjen e bimëve narkotike kanë punësuar disa punëtorë, kanë ngritur sisteme vaditje, moment pas së cilit lënda narkotike është grumbulluar dhe përpunuar në vende të posaçme me qëllim hedhjen në treg.

SPAK po vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë bashkëpunëtorë të cilët ka rezultuar se janë përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Exit mobile version