Koordinatori për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se është e habitshme të shohësh që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përsëri po e kritikon prokurorinë.
Gruda, përmes një postimi në Facebook, tha se janë disa pyetje themelore që duhet t’i bëhen Haxhiut sot, pasi sipas tij, ajo e ka për detyrë të punojë për të forcuar institucionet e drejtësisë e jo të angazhohet çdo ditë për të dëmtuar integritetin e tyre.
“Kush duhet të ndërhyjë për rregullimin e sistemit prokurorial, nëse ky sistemi është i dobët? A janë qytetarët të cilëve ajo i referohet në videon e saj, apo ajo që ka marrë votat e tyre për të qeverisur?”, ka pyetur ai, transmeton Telegrafi.
“A mund të kujdeset ministrja më mirë për të zgjidhur probleme në sistem, duke krijuar vlera dhe duke përmirësuar prokurorinë, në vend që të përqendrohet vetëm në kritika dhe sulme?”, tha Gruda.
Tutje, ai tha se Haxhiu duhet ta kuptoj se qeverisja e mirë është shumë më shumë sesa kritikë dhe identifikim i problemeve.
“Ajo kërkon marrjen e veprimeve konkrete për të krijuar ndryshime pozitive për vendin dhe qytetarët”, tha ai.
Ndryshe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një videoje të publikuar të enjten në llogarinë e saj në Facebook ka hedhur dyshime mbi punën e Prokurorisë Speciale.
Ajo ka folur për një pronë në Vushtrri që sipas saj i takon dikasterit që udhëheqë, por që i është dhënë për 10 vite në shfrytëzim një personi fizik nga ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-drejtori i burgjeve. /Telegrafi/