Site icon Telegrafi

Gruda: Ministrja e Drejtësisë nuk do të duhej të kishte frikë nga Kushtetuesja

Përparim Gruda, koordinator për drejtësi në PDK iu ka përgjigjur Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut lidhur me reagimin e saj ndaj dërgimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë në Gjykatën Kushtetuese.

Gruda, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Ministrja e Drejtësisë nuk mund të largoj vëmendjen nga skandali i zhdukjes së mostrave të rastit Dehari duke sulmuar PDK-në pse ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Byronë”.

“Në çdo demokraci normale, një Ministre e Drejtësisë do të duhej të mos kishte frikë nga Gjykata Kushtetuese, por ta mirëpriste vendimin e saj. Kosova duhet të ndahet njëherë e mirë nga logjika e gazit lotsjellës dhe e dhunës në institucione, dhe të kthehet të logjika, parimet dhe vlerat e Kushtetutës, të cilën ne do ta mbrojmë çdo ditë”, ka shkruar Gruda.

Lexo po ashtu PDK e dërgon në Kushtetuese Projektligjin për Byronë Shtetërore

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese, Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministres së  Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se e dërgimi i Ligjit për Byronë në Kushtetuese, ka për qëllim zhagitjen e reformave.

Megjithatë ministrja thekson se Byronë nuk mund t’i ndalojë askush.

“Mund të luftohen e sabotohen, por reformat që kemi nisur në shumë drejtime përbrenda sistemit të drejtësisë tashmë kanë marrë drejtimin e duhur dhe nuk mund t’i ndalojë askush, aq më shumë ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e institucioneve. Byroja do të bëhet. Drejtësia do të triumfojë”, tha Haxhiu.

Lexo po ashtu Haxhiu i reagon PDK-së: Byroja do të bëhet, drejtësia do të triumfojë

Më 9 shkurt 2023, Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Afati për dorëzimin e kërkesës në Kushtetuese, sipas Nenit 113.5 të Kushtetutës së Kosovës, parashtrohet brenda një afati prej tetë ditësh nga dita e miratimit të ligjit ose vendimit të caktuar.

Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, projektligji nuk procedohet nga ana e Kuvendit për shpallje tek Presidentja e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version