Antoine Griezmann më në fund ka folur hapur për refuzimin që ia bëri Barcelonës në afatin kalimtar të verës.
Sulmuesi i Atletico Madridit ishte objektivi kryesor i Barcelonës në afatin e verës, por edhe përkundër shumë ofertave një gjë e tillë nuk u materializua.
Griezmann vendosi në fund të rinovonte kontratën me Atleticon dhe ka zbuloi së fundmi se qëndroi te madrilenët pasi ishte i bindur se te Barcelona do të ishte nën hijen e Messit.
“Nuk ishte e lehtë t’i thosha jo një ekipi të madh si Barcelona, që të kërkon, të thërret, por edhe të dërgon mesazhe”, ka thënë fillimisht Griezmann për mediat spanjolle.
“E dija që te Barcelona do të isha ushtar i Messit, prandaj u tërhoqa nga ky transferim”.
“Ishte e vështirë koha kur më kërkonte Barcelona. Zgjoja bashkëshorten time në ora 3 të mëngjesit për të biseduar me të se çfarë duhej të bëja”.
“Pas një ndeshjeje, kur mora vërshëllima nga tifozët, shokët e mi në dhomat e zhveshjes më mbrojtën. Simeone erdhi në shtëpinë time për të më thënë se kishte shumë besim”.
“Klubi më rriti pagën, duke treguar se do të bënte gjithçka për të më mbajtur në ekip”, përfundoi ylli francez. /Telegrafi/