Sulmuesi i Barcelonës, Antoine Griezmann, e ka komentuar humbjen e katalunasve nga Atletico Madridi në ndeshjen gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës.
Blaugranët humbën me rezultat 3-2 në përballjen ‘triller’ kundër ish-skuadrës së francezit, e cila u shoqëruar me polemika të shumta lidhur me vendimet e gjyqtarëve.
I pyetur se si e shpjegon humbjen, ai është përgjigjur: “Nuk e di. Në të njëjtën mënyrë siç nuk mund t’i shpjegoj gabimet tona dhe në fund, ata patën më shumë energji dhe kjo na kushtoi”.
“Duhet ta shikojmë ndeshjen sërish, të punojmë dhe të përmirësohemi. Nëse përmirësohemi, atëherë ngritemi sërish”, ka deklaruar Griezmann.
Ai i ka përmendur edhe gabimet, të cilave iu është referuar: “Dështova t’ia pasoja topin Umtitit. Gjërat e vogla si kjo mund të ndikojnë që të humbësh një ndeshje, një kampionat, apo Ligën e Kampionëve. Do të punojmë dhe kaq”.
Sa u përket dy golave të anuluar të Barcelonës, francezi ka thënë: “E kemi VAR-in për t’i ndihmuar futbollit. Nganjëherë të ndihmon ty dhe nganjëherë është kundër teje, por e tillë është”.
Ndryshe, Atletico Madridi do të luajë kundër rivalit lokal, Real Madrid, në finalen e të dielës. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=E51mdkIBIOw