Sot në ditën kur filluan aktivitetet në kuadër të kampanjës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, një 63 vjeçare në Prishtinë është vrarë nga bashkëshorti i saj, 70 vjeçar.
Viktima dyshohet se është vrarë me sëpatë, ndërkaq pas rastit tragjik kanë ardhur edhe reagimet e para nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
Ministrja Haxhiu shkruan se vrasja e grave nga burrat është bërë fenomen shqetësues.
“Në mëngjesin e sotëm, rrugës drejt aktivitetit të parë të Kampanjës ‘16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore’, aktivitetit në shkollë me nxënës dhe arsimtarë, mora lajmin tronditës: Një grua vritet nga burri i saj. Një arsimtare e një shkolle në Prishtinë.
Është fenomen tejet shqetësues, vrasja e grave nga burrat e tyre.
Ky lajm, kjo vrasje e rëndë, na pikëllon thellë të gjithëve, por ne do të gjejmë edhe më shumë forcë, drejt ngritjes së vetëdijes qytetare dhe përgjegjësisë institucionale. Drejt luftës ndaj dhunës. Drejt vënies së drejtësisë.
Familjes, kolegëve dhe nxënësve, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta!”, shkruana ajo.
Ndërkaq, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me vrasjen e sotme të një gruaje 63 vjeçare nga bashkëshorti 70 vjeçar.
“Në vazhdën e lajmeve të përditshme për ngacmime seksuale, dhunë me bazë gjinore, dhe përdhunime të vajzave, si dhe në ditën kur fillon fushata botërore ‘16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës ndaj grave’, vrasja e 63 vjeçares në Prishtinë, vetëm se shpërfaq dhe thekson pasojat e rrënjosura të normave patriarkale dhe kulturore në kuadër të të cilave gratë vriten vetëm pse janë gra!
Gratë po jetojnë në ambiente kërcënuese në Kosovë!”, thuhet në reagimin e RRGK-së.
“Masat rehabilituese për abuzues ende nuk ekzistojnë dhe viktimat e dhunës me bazë gjinore vazhdojnë të mbesin pa rrugëdalje nga dhuna e përsëritur. Njëherit, punësimi i grave dhe trashëgimi i pronës mbesin ndër më të ulëtat në Ballkan dhe kjo i mban gratë të lidhura në ambiente abuzuese. Vlerësimet e rrezikshmërisë nga ana e zyrtarëve policorë janë të dobëta dhe pasojnë me raste recidiviste.
Dënimet nga gjykatat vazhdojnë të jenë të ulëta dhe absurde duke rikthyer në gjykim personat përgjegjës për vrasje brutale të grave dhe duke u dhënë të njëjtëve rrethana lehtësuese përgjatë procedurës penale.
Kjo hallkë e rrethanave na tregon se vrasja e grave vjen si pasojë e dështimit institucional, social e kolektiv, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore si çështje parësore, në kuadër të sundimit të ligjit dhe qasjes në drejtësi”, thuhet në reagimin e RRGK-së.
“Neni 173 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, qartazi e ka të caktuar dënimin për Vrasjen e Rëndë, ku thuhet se personi që shkakton vrasjen e anëtarit të familjes apo të fëmijës, dënohet me burgim të përjetshëm. Andaj, RrGK kërkon që të shqiptohet masa ndëshkuese maksimale dhe të mos merren në konsideratë si masa lehtësuese dorëzimi i tij në polici dhe mosha e dhunuesit, siç është praktikë të konsiderohen këto të fundit nga gjykatat”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Telegrafi/