Mesfushori shqiptar i Arsenalit, Granit Xhaka ka reaguar në rrjetet sociale, duke kërkuar falje pas gabimit të bërë në ndeshje ndaj Burnleyt, gabim që i kushtoi me gol ekipit të tij.
Arsenali nuk ka arritur më shumë se një barazim 1-1 në udhëtim te Burnley në kuadër të javës së 27-të në Ligën Premier.
Golat në këtë ndeshje u shënuan nga Pierre-Emerick Aubameyang (6’) për londinezët, ndërsa Chris Wood (39’) për vendasit.
Tek goli i vendasve, gabimi erdhi nga mesfushori shqiptar, Xhaka, i cili në tentim për të pasuar goditi lojtarin kundërshtar dhe topi përfundoi në portë.
Pas këtij gabimi, Xhaka ka shfrytëzuar profilet e tij private në rrjetet sociale për të reaguar dhe kërkuar falje.
“Unë i mbaj duart lart për golin e tyre dhe më vjen keq për gabimin”.
“Ky është futbolli dhe tani ndihem po aq i irrituar sa të gjithë ju”, ka shkruar Xhaka në profilin e tij. /Telegrafi/