Zëvendës-kapiteni i Arsenalit, Granit Xhaka është i gatshëm të zgjasë qëndrimin e tij në klub dhe bisedimet janë zhvilluar për një kontratë të re, raporton 90min.
Lojtari shqiptar që përfaqëson Zvicrën ka arritur ta kthejë plotësisht karrierën e tij te Topçinjtë gjatë dy sezoneve të fundit.
Ai dukej se po shkonte drejt largimit, pasi sulmoi tifozët në një barazim 2-2 në shtëpi ndaj Crystal Palaces në tetor 2019, duke iu hequr më pas shiriti i kapitenit.
Një lëvizje në Hertha Berlin ishte afër të realizohej, por Mikel Arteta e bindi Xhakën të ndryshonte mendje dhe të qëndronte në klubin që iu bashkua nga Borussia Monchengladbach në vitin 2016.
30-vjeçari e ka çimentuar statusin e tij si një nga mesfushorët më të mirë në Ligën Premier – duke luajtur një rol kyç në ngritjen e Arsenalit dhe në sfidimin për titull.
Në të vërtetë, Arsenali tashmë ka zhvilluar bisedime me Xhakën për një marrëveshje të re, derisa aktualisht fiton 136 mijë euro në javë, ndërsa në sezon i bije mbi shtatë milionë euro.
Kontrata aktuale e Xhakës skadon në verën e vitit 2024, megjithëse Arsenali ka një opsion për ta zgjatur edhe një vit tjetër, dhe shpresohet që negociatat të mund të përfundojnë mjaft shpejt pasi ka një vullnet nga të dyja palët për të rënë dakord për kushtet. /Telegrafi/