Site icon Telegrafi

Granit Xhaka: Jesus dëshiron të fitojë trofe edhe me Arsenalin

Gabriel Jesus mund të ketë fituar “gjithçka” në Manchester City, por mesfushori shqiptar, Granit Xhaka ka thënë se sulmuesi brazilian mbetet i vendosur të shtojë koleksionin e tij të trofeve pas transferimit te Arsenali.

Sulmuesi brazilian i është bashkuar Topçinjve në një marrëveshje prej rreth 50 milionë eurosh dhe iu deshën më pak se 90 sekonda për të regjistruar golin e tij të parë për klubin gjatë një ndeshjeje para-sezonale kundër Nurnberg.

Xhaka është i bindur se të gjithë ata që janë shtuar në radhët e Mikel Artetës në Emirates Stadium janë gati të japin sukses të prekshëm në veri të Londrës.

Lexo po ashtu Yllit të ri të Arsenalit, Gabriel Jesus, iu deshën vetëm 84 sekonda që të shënojë në debutim – ai e mbylli ndeshjen me dy gola

25-vjeçari regjistroi 95 gola për Cityn, ndërsa i ndihmoi ata të fitojnë katër tituj të Ligës Premier dhe tre triumfe në Carabao Cup.

“Përforcimet sjellin diçka më shumë se vetëm ndeshjet dhe fitoret, ata sjellin mentalitetin për të fituar diçka dhe kjo është ajo që na duhet këtu. Nuk është aq e lehtë vetëm të flasësh, por duhet ta tregosh edhe në fushë”, ka thënë fillimisht Xhaka për Sky Sports.

“Ata sjellin përvojë dhe sigurisht Gabby e njeh Ligën Premier. Ai tashmë ka fituar gjithçka, por më e rëndësishmja është të sjellësh lojtarë që kanë uri”.

“Mund të fitoni shumë trofe dhe të thoni ‘mirë, mjafton’, por këta djem duan të fitojnë shumë më tepër me ne. Kjo është ajo që na bën të lumtur që i kemi ata”.

Arsenali ka bërë disa lëvizje në afatin e verës teksa përpiqet të rikthehet në garë për një përfundim në top-katërsh në sezonin 2022/23. Ata për pak nuk arritën këtë objektiv sezonin e kaluar, që do të thotë se janë në sezonin e gjashtë radhazi jashtë Ligës së Kampionëve.

Lexo po ashtu Zyrtare: Gabriel Jesus transferohet te Arsenali

Krahas përpjekjeve vendase, Topçinjtë do të kërkojnë gjithashtu të ndjekin lavdinë e Ligës së Evropës. Xhaka ka thënë se kjo do të ishte metoda e tij e preferuar për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve.

“Do të preferoja të fitoja Ligën e Evropës për t’u rikthyer në Ligën e Kampionëve nëse jam i sinqertë sepse është një trofe. Por, nëse arrijmë të futemi në top katërshe në Ligën Premier dhe të fitojmë Ligën e Evropës, kjo do të ishte më e veçantë”, përfundoi mesfushori shqiptar. /Telegrafi/

Exit mobile version