Telegrafi

Grafitet në veri, policia nis hetimet

Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me grafitet që u shfaqen të dielën në veri të Mitrovicës.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

“Me datë 13.11.2022 gjatë natës, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veri, janë hasur disa grafite me mbishkrime të ndryshme në gjuhën serbe. Policia e Kosovës, me njësitet e saj ka ndërmarr veprimet e nevojshme policore, për hetim dhe procedim të mëtejmë, lidhur me grafitet e shkruara në disa mure dhe rrugë”, ka thënë Kelani.

Grafite janë parë sot në sheshin kryesor në veri të Mitrovicës, të cilat janë vendosur nga një grup i ashtuquajtur “Brigada Veriore”.

“Nga data 21.11 është detyrë e të gjithëve të rezistojnë në çdo hap! Brigada Veri”, shkruan në grafit.

Kryetarët, të nacionalitetit serb, dhanë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Dorëheqje, për të njëjtat pakënaqësi, dhanë edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri – nisur nga policia deri te gjykatat – ashtu si edhe 10 deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq. Këta të fundit vinin nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë. /Telegrafi/