Ish-Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se ende nuk ka vendosur se si do të votojë për demarkacionin. Në një deklaratë të shkurtë për gazetën “Epoka e Re”, ai ka thënë se më 1 shtator në seancën për Demarkacionin ai do ta tregojë qëndrimin e tij.
“Qëndrimin tim do ta bëj publik më 1 shtator në seancën e rregullt të Kuvendit”, ka thënë shkurt Grabovci.
Deputeti i PDK-së, Grabovci në disa intervista dhënë mediave më herët ka thënë se ka dilema në lidhje me marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Muaj më parë ai ishte shprehur se historikisht kufiri ka qenë te Kulla e Zhlepit, kurse me versionin aktual të cilin e ka nxjerr Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare, ai zhvendoset pesë kilometra në brendi të Kosovës.
“E di ku ka qenë zona kufitare edhe në kohën e luftës ku kemi has. Zona e mëhershme kufitare është në shpërpushje me versionin e Murat Mehës. Historikisht dihet se kufiri ka qenë në Kullë dhe diku pesë apo gjashtë kilometra është tërhequr prapa në brendi të Kosovës”, ka thënë Grabovci në emisionin “Info Box” të TV Dugagjinit.