Telegrafi

Grabitje me armë në Vushtrri, arrestohen dy persona të dyshuar

Policia e Kosovës (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Policia e Kosovës pas raportimit se në rrugën “Hamit Hyseni” në Vushtrri, në një filial mikrofinanciar ka ndodhur një grabitje, ka arritur që të arrestojë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘grabitje’.

Sipas njoftimit të Policisë nga informacionet e para të siguruara thuhej që grabitja ishte kryer nga dy persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës së ftoftë (thikës) nga viktima punëtore në filial kanë grabitur një shumë prej 250 euro, duke ikur në drejtim të panjohur.

“Mbi bazën e informacioneve fillestare njësitet policore në Vushtrri, në mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë, njësisë së qenve K9 dhe hetimeve rajonale, në bashkërendim kanë ndërmarrë të gjitha veprimet operative-hetimore, me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të personave të dyshuar, ku pas dy orë hetimi dhe kërkimi në dy lokacione të ndryshme është arritur që të identifikohen dhe të arrestohen dy persona të dyshuar për veprën penale grabitje. Të arrestuarit janë E.H., 20 vjeç, dhe F. Z., 21 vjeç”, thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet se cilësi të provave materiale tek të dyshuarit janë gjetur dhe janë konfiskuar një thikë dhe një maskë.

Dy të dyshuarve pas procedurave intervistuese me aktvendim të prokurorit të rastit u është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë./Telegrafi/