Maska mjekësore për fshehje të identitetit i kreu punë një burri në Pejë, i cili bëri një vjedhje të premten rreth orës 18:50, në rrugën “Konstandini i Madh”.
Viktima qe punëtori i një poste të shpejtë. Të njëjtit raportohet t’ia kenë marrë një çantë me rreth 1500-2000 euro ku besohet se i kishte paratë e pazarit ditor.
Ky i fundit edhe është sulmuar fizikisht duke u goditur disa herë me grushte.
I dyshuari mbetet ende i pa identifikuar, derisa organet e rendit po e hetojnë ngjarjen si “Grabitje”.
“I dyshuari nga vendi i ngjarjes është larguar në këmbë. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit. Rasti vazhdon të hetohet”, bënë me dije nga Policia.
Klan Kosova ka kontaktuar me kompaninë me seli në kryeqytet, ku ishte i punësuar viktima, mirëpo këta nuk kanë dhënë detaje për ngjarjen.
Vetëm kanë pohuar se rasti është i izoluar dhe se dhënia e informatave do t’i pengonte Policisë në trajtimin e tij.