Antonio Cassano lindi në Bari të Italisë, ndërsa babai i tij e braktisi familjen pas një kohe të shkurtër. Ai u rrit në varfëri nga nëna e tij në qarkun San Nicola dhe si fëmijë luante futboll rrugëve.
Një zbulues talentësh i klubit të Barit e pa potencialin e tij dhe e përfshiu në sistemin e të rinjve. Më 11 dhjetor të vitit 1999, sulmuesi debutoi në Serie A kundër Lecces.
Gjatë kohës sa ishte te Bari, ai konsiderohej si një prej talentëve më premtues në futbollin italian.
Mirëpo, shpërthimi i tij dhe arritja e famës ndodhi më 18 dhjetor të vitit 1999 në fitoren prej 2-1 kundër Interit.
Asokohe Cassano si një 17-vjeçar e kontrolloi për mrekulli një top të dhuruar nga një largësi prej 36 metrash vrapoi drejt portës duke i kaluar veteranët Christian Panucci dhe Laurent Blanc, dhe me goditjen e tij e mposhti portierin Fabrizio Ferron.
Ky gol u shënua në minutën e 88-të dhe Bari e fitoi ndeshjen, ndërsa ky ishte momenti që shënoi fillimin e suksesit të Cassanos.
Gjatë kësaj kohe, ai e mori nofkën ‘Fantantonio’ dhe ‘El Pibe de Bari’ (djaloshi nga Bari) duke iu referuar nofkës së Diego Maradonas, ‘El Pibe de Oro’.
“Ajo ndeshje kundër Interit më bëri të pasur dhe të famshëm. Futbolli bën mrekulli…”, ka deklaruar Cassano.
Në vitin 2001, si 19 vjeçar, sulmuesi nënshkroi për asokohe kampionin e Italisë, Romën, ku qëndroi deri në vitin 2006.
Karriera e Cassanos u zhvendos në Spanjë te Real Madridi duke u bërë vetëm futbollisti i dytë italian që nënshkruante për Mbretërit (pas Christian Panuccit).
Mirëpo, te Los Blancos kishte probleme me disiplinën dhe fillimisht u huazua te Sampdoria (verën e vitti 2007) dhe pastaj në vitin 2008 nënshkroi kontratë të përhershme me klubin italian, ku qëndroi deri në vitin 2011.
Milani (2011-2012) dhe Interi (2012-2013) ishin klubet tjera të mëdha, ku Antonio e vazhdoi karrierën.
Ai luajti te Parma (2013-2015), para se të kthehej te Sampdoria (2015-2017). Në verën e vitit 2017, Cassano nënshkroi për Hellas Veronan, mirëpo menjëherë pas vendosi të pensionohej nga futbolli.
“Pas mendimit dhe reflektimit, në fund vendosa: Antonio Cassano nuk do të luajë futboll më”. I kërkoj falje qytetit të Veronas, të gjithë tifozëve, presidentit Maurizio Setti, drejtorit sportiv Filippo Fusco dhe trajnerit, plus personelit mjekësor dhe teknik”.
“Për momentin, përparësia ime është që të jem me fëmijët dhe gruan time”, ishin fjalët në njoftimin e tij. /Telegrafi/