Hollywoodi po bëhet gati për ceremoninë e Golden Globes, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në kalendarin e botës kinematografike. Ajo është parë tradicionalisht si një tregues, se cilat filma do të shkëlqejnë në ceremoninë e çmimeve Oscar.
“La La Land”, një mjuzikël, është mes pretendentëve kryesorë me shtatë kandidatura për Globin e Artë, i ndjekur nga “Moonlight” me gjashtë nominime dhe “Manchester By The Sea” me pesë të tilla.
Fituesit do të shpallen mbrëmjen e sotme (e diel) në Los Angeles, në një ceremoni të drejtuar nga Jimmy Fallon. “La La Land”, me protagonistë Ryan Gosling dhe Emma Stone, tregon historinë e një pianisti xhazi dhe një aspiranteje për aktore, të cilët po ndjekin ëndrrat e tyre drejt famës në Los Angeles – transmeton Top Channel.
Ndër të tjera, filmi garon për çmim në kategorinë e komedisë ose mjuzikëlit më të mirë, e gjithashtu për skenarin dhe regjinë më të mirë.
Sa i përket trofeut më të lakmuar, atë të filmit më të mirë dramatik, pretendentët kryesorë janë “Moonlight” dhe “Manchester By The Sea”.
“Moonlight” tregon historinë e një të riu me ngjyrë që rritet në një lagje të varfër të Miamit, dhe nominohet gjithashtu edhe për regjinë, skenarin dhe aktorët më të mirë në role dytësore.
Ndërkaq, “Manchester By The Sea”, me protagonistë Casey Affleck, Michelle Williams dhe Lucas Hedges, është vlerësuar më herët si filmi më i mirë i vitit nga Bordi Kombëtar i Kritikës.