Derbi mes Juventusit dhe Interit i njohur ndryshe si “Derby d’Italia” do të zhvillohet gjashtë të shtunës mbrëma me fillim nga ora 20:45.
“Derby d’Italia” ka prodhuar gjithmonë ndeshje të mëdha, me plot emocione, duele, kacafytje, por edhe gola.
Sulmuesit e mëdhenj të lindur për të shënuar nuk i kanë munguar asnjëherë as Juventusit dhe as Interit.
Sikurse Bianconerët ashtu edhe Nerazzurrët kanë pasur në radhët e veta golashënues të mëdhenj italian dhe botëror.
Por, pasi po afrohet derbi, natyrshëm shtrohet pyetja se cili lojtar ka shënuar më shumë gola në “Derby d’Italia” dhe cilat janë të tjerët që kanë shënuar në derbin më të madh italian.
Listës i prijnë Giuseppe Meazza me fanellën e Interit dhe Omar Sivori me atë të Juventusit me nga 12 gola të shënuar, po aq sa ka edhe Roberto Boninsenga, i cili ka shënuar nëntë me fanellën e Interit dhe tri me atë të Juves.
Pas tyre renditet legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero me 10 gola të shënuara në Derbin e Italisë, ndërsa lojtari tjetër i Juves, Pietro Anastasi ka nëntë gola të shënura.
Me nga tetë gola të shënuara vijnë Benito Lorenzi dhe Alessandro Altobelli të Interit, ndërsa shtatë gola kanë shënuar Giampiero Boniperti e Roberto Baggio të Zonjës dhe Julio Cruz i Zikaltërve.
Sandro Mazzola i Nerazzurrëve dhe Roberto Bettega i Bianconerëve kanë shënuar nga pesë gola, ndërsa nga katër gola në “Derby d’Italia” kanë shënuar Mauro Icardi, Christian Vieri, Alvaro Morata dhe Michel Platini. /Telegrafi/