Atletico Madridi e ka fituar Superkupën e UEFA-s, pas triumfit ndaj Real Madridit (4-2) në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin A. Le Coq Arena në Tallinn të Estonisë.
Rezultati u zhbllokua që në minutën e parë të ndeshjes. Diego Costa shkoi përpara dhe bëri një goditje nga një pozitë e vështirë, me ç’rast topi u ndal në rrjet (1′).
Karim Benzema ishte futbollisti që e barazoi rezultatin pas asistimit nga Gareth Bale. Anësori uellsian harkoi nga e djathta, ndërsa sulmuesi francez shënoi me kokë (27′). Me rezultat të barabartë, skuadrat shkuan në pushim.
Në gjysmën e dytë, Mbretërit e përmbysën rezultatin. Juanfran e preku topin me dorë në zonë dhe gjyqtari akordoi penallti. Përgjegjësinë e mori kapiteni Sergio Ramos, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë (63′).
Mirëpo, Diego Costa reagoi përsëri duke e shënuar golin e dytë personal në këtë takim (79′) pas asistimit nga afër të Angel Correas.
Meqenëse gola të tjerë nuk pati në minutat e mbetura ndeshja shkoi në vazhdime.
Lojtarët e Atleticos ishin fantastikë në pjesën e parë të vazhdimeve, gjatë të cilës ia dolën të shënonin dy gola.
Saul pranoi një top nga Thomas dhe shënoi një gol shumë të bukur me vole (98′).
Nuk zgjati shumë dhe Los Rojiblancos shënuan sërish. Nga një aksion tjetër i ndërtuar mirë, Vitolo asistoi te Koke dhe ai e ndëshkoi portierin Keylor Navas (104′).
Loja e mirë e lojtarëve të Diego Simeones vazhdoi edhe në pjesën e dytë të vazhdimeve dhe ata ia dolën ta ruanin epërsinë.
Në këtë mënyrë, Atletico Madridi e fiton për herë të tretë në histori Superkupën e UEFA-s. /Telegrafi/