Telegrafi

Gol fantastik nga Arbër Zeneli, shumë shpejt dyfishon Atdhe Nuhiu

Kosova më në fund e ka zhbllokuar rezultatin në ndeshjen kundër Ishujve Faroe që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pas dominimit dhe rasteve në pjesën e parë, dhe vazhdimit të iniciativës edhe në fraksionin e dytë, nikoqirët e shënuan golin e epërsisë.

Ishte Arbër Zeneli, i cili me një goditje të bukur e ndëshkoi portierin kundërshtar. Dhe natyrisht se goli i dedikohet legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Nuk zgjati shumë dhe erdhi goli i dytë. Një harkim në zonë nga Milot Rashica, e shfrytëzuan futbollistët vendas dhe pas asistimit të Amir Rrahmanit, Atdhe Nuhiu e futi topin në rrjetë.

Përfaqësuesja e Kosovës zhvillon ndeshjen e vlefshme për Grupin 3 në ligën D të Ligës së Kombeve, ku përballet me Ishujt Faroe.

Është kjo sfida e parë që skuadra zhvillohet në stadiumin e rinovuar “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kujtojmë që kjo përballje vjen pas kthimit nga Azerbajxhani, ku përfaqësuesja jonë barazoi pa gola me kombëtaren e këtij vendi në Baku.

Pritet që Kosova të regjistrojë fitore dhe të arkëtojë pikë të plota në këtë sfidë. /Telegrafi/