Telegrafi

Goditja e parë e vitit: Automobili misterioz i Faraday Future

Faraday Future ka bërë “goditjen” e parë të vitit 2016.

Kompania e re e automobilave elektrikë me seli në Kaliforni, në panairin e madh të teknologjisë “Consumer Electronics Show”, ka shpalosur konceptin me performanca të larta “FFZERO1”.

Automobili i veçantë, i prezantuar në tubimin e kompanive dhe ekspertëve më të mëdhenj në botë, më shumë ngjan në një automobil garues sesa në një të thjeshtë për rrugë, falë 1000 kuaj fuqive dhe supershpejtësisë që ka, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kompania thotë se përshpejtimin prej 0 në 100 kilometra në orë automobili e arrin për më pak se tre sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale është mbi 320 kilometra për orë.

Sigurisht, këto janë vetëm shifra teorikë pasi “FFZERO1” akoma është vetëm koncept, edhe pse kompania ka paralajmëruar se adhuruesit e shpejtësisë do të shohin edhe “prodhimin e limituar”!