Telegrafi

Goditet një grup i shpërndarjes së kokainës në Evropë, zbulohen bunker për fshehjen e drogës dhe sekuestrohen 200 llogari bankare në Shqipëri

Eurojust, Prokuroria e Firences dhe Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë (SPAK) finalizuan këtë të hënë një operacion kundër një rrjeti ndërkombëtar të shpërndarjes së kokainës në Evropë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin shqiptarë.

Në kuadër të operacionit u lëshuan 83 urdhër-arreste në disa shtete, si Itali, Spanjë dhe Holandë, vende ku është zhvilluar aktiviteti kriminal.

Hetimi ka zgjatur për 2 vjet, ndërkohë që operacioni i koduar “Muratori” është ende në vijim, sipas njoftimit te SPAK.

Gjatë hetimeve janë zbuluar bunker për fshehjen e lëndëve narkotike, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme droge si kokainë, heroinë, hashash e marijuana, por edhe armë zjarri.

Operacioni është kryer edhe në Shqipëri nën drejtimin e prokurorit të SPAK Vladimir Mara.

Përfaqësuesja e Prokurorisë së Firences deklaroi se gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 200 llogari bankare, 30 shoqëri tregtare, 18 pasuri të paluajtshme dhe pasuri të tjera të krerëve të trafikut të kokainës.

“Kanë trafikuar sasi të mëdha të lëndëve narkotike në të gjithë Evropën. Janë sekuestruar në Shqipëri mbi 200 llogari bankare të personave të përfshirë dhe 30 shoqëri tregtare, 18 pasuri të paluajtshme dhe pasuri të tjera të luajtshme”, tha ajo në një takim me përfaqësuesit e SPAK. /Telegrafi/