Telegrafi

Goditet baza e prodhimit të dokumenteve false në Korçë, falsifikonin letra për kalimin e drogës në Angli – arrestohet IT-ja e Gjykatës së Korçës

Prokuroria e Tiranës ka goditur bazën e prodhimit të dokumenteve të falsifikuara me qëllim kalimin drejt Anglisë të lëndëve narkotike dhe sendeve të paligjshme, ndërkaq lidhur me këtë një person është arrestuar.

Prokuroria pranë Gjykatës së shkallës së parë Tiranë kërkoi masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për shtetasin Zh.L., IT në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, nën akuzë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve.

Nga hetimet në kuadër të procedimit penal nr.617 viti 2024, rezultoi se shtetasi Zh.L., me aftësi të mira kompjuterike ka hapur subjektin e tij kancelarik i cili dyshohet se shërben si bazë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuar me qëllim jo vetëm kalimin individual në vendet e BE-së, por me qëllim kryesor kalimin drejt Anglisë të lëndëve narkotike dhe sendeve të tjera të kundërligjshme, raporton tch.

Pas kryerjes së veprimeve proaktive hetimore, vëzhgimeve, përgjimeve si dhe blerjeve të simuluara, u zbulua mekanizmi ku prodhoheshin dokumente të një cilësie të lartë që kishin gjithë kodet e sigurisë dhe që mund të kalonin çdo kontroll policor.

Në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nga ana e specialistëve, rezulton se shtetasi Zh.L. është njëri nga hallkat e këtij rrjeti që shërbejnë për kalimin e paligjshëm të kufirit nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve por jo vetëm dhe në kalimin e personave nëpërmjet rrugëve të tjera siç është ajo e transportit me kamion.

Nga ana e Specialistëve të Seksionit për Krimin Ekonomik e Financiar, u morën informacione në rrugë operative se shtetas të ndryshëm në bashkëpunim me njëri-tjetrin kundrejt pagesës ndihmojnë persona të caktuar për kalim të paligjshëm të kufirit nëpërmjet falsifikimit të kartave të identitetit të shteteve evropiane dhe kryesisht karta identiteti italiane.

Me anë të këtyre kartave të falsifikuara këta shtetas duke shmangur kontrollet e bëjnë më të lehtë kalimin e lëndëve narkotike dhe sendeve të tjera të kundërligjshme jo vetëm në vendet e BE-së por me destinacion final Anglinë. /Tch/