Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, ka vazhduar gjykimi për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi, në rastin për të cilin akuzohen ish-deputeti M.Z. dhe dy persona të tjerë, I.K. dhe E.K.
Në seancat paraprake, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Vesel Ismajli ka marr vendim që të akuzuarve në këtë rast, mediat t’i referohen vetëm me iniciale.
Në seancën e së martës, ishte paraparë të dëgjoheshin nëntë dëshmitarë, por vetëm tre nga ta i ishin përgjigjur pozitivisht ftesës së gjykatës.
Ndër ta, ishte dëshmitari Leotrim Hoxha, i cili tha se kishte paguar 1050 euro, për t’u pajisur me vizë, por që atë nuk kishte arritur ta siguronte.
Ai tha se këto para i kishte paguar në agjencinë e të akuzuarit I.K., duke shtuar se për këtë e konsideron veten të dëmtuar.
“Kërkoj me mu kompensu se jom i dëmtum. Kërkoj jo qaq sa kom pagu po më tepër se unë për këtë gjë kam shitë një lopë e një viç që me i bo këto pare 1050 euro për me apliku për vizë, e me pas majt lopën mi kish bo edhe katër vjeta”, tha Hoxha.
Hoxha tha se kishte tentuar në forma të ndryshme të komunikonte me tani të akuzuarin I.K. për punën e parave të paguara, mirëpo një gjë e tillë nuk ishte mundësuar.
Dëshmitari tha se ai së bashku me djalin e axhës së tij, po ashtu i dëmtuar në këtë rast, kishin shkuar tek shtëpia e të akuzuarit I.K, mirëpo prindërit e tij e kishin njoftuar se ai nuk ishte aty, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se pas disa përpjekjeve kishte rënë në kontakt me I.K., e që i njëjti sipas tij, i kishte thënë se paratë do t’i kthehen sepse ai ishte tradhtuar nga i akuzuari M.Z.
Deklaratë të ngjashme kanë dhënë edhe dy dëshmitarët Arianit Hoxha dhe Kastriot Arapi, të cilët kanë thënë se kishin dhënë nga 1050 euro për të marrë viza pune në Gjermani.
Dëshmitari Hoxha ka deklaruar se e ndien vetën të dëmtuar, pasi që kishte dhënë 1050 euro, për t’u pajisur me vizë, por të cilën nuk e kishte marrë.
Sipas dëshmitarit Hoxha, i akuzuari I.K., kishte pasur një agjenci afër zyrës së “Sigal”, në të cilën ai kishte shkuar për të aplikuar për vizë pune në Gjermani.
“Unë për qatë lejen e punës në Gjermani kom pagu 1050 euro, me qëllim që të pajisem me vizë. Shuma është pagu në emër të I.K, do të thotë në emër të agjencionit të tij. Këtë shumë të parave e kom pagu kesh në zyrën e tij”, tha Hoxha.
Hoxha tha se paratë për këtë vizë nuk ia kishte dorëzuar direkt të akuzuarit I.K., por pagesa ishte bërë te punëtorja e kësaj agjencie, emri i të cilës tha se nuk i kujtohet.
Ai shtoi se me rastin e pagesës së kësaj shume, atij i ishte dorëzuar një fletëpagese si dëshmi se e kishte paguar shumën prej 1050 euro.
“Disa kishin marrë viza e disa si ne kemi mbet në gjysmë mos me than kemi dështu në këtë drejtim. Po të isha pajis me vizë nuk do të isha këtu, po në Gjermani, çka do të thotë se nuk jam pajisur, se pas 10 dite na kanë thirr dhe na kanë than me nënshkru kontratën, e në momentin që kemi nënshkru kontratën, më 31 mars 2017, e deri më sot nuk kemi pas kontakt më me askënd”, tha Hoxha.
Sipas tij, ai kishte tentuar në çdo mënyrë të kontaktonte dikë në këtë agjenci, po ashtu edhe numrin e të akuzuarit I.K, por sipas Hoxhës nuk kishin arritur të merrnin përgjigje.
“Paratë sot e kësaj dite nuk më janë kthyer. Unë nuk e kuptoj një gjë se qysh ka mundësi unë këtu po i shoh M.Z dhe E.K., që nuk na kanë informu se kanë qenë më parë pjesë e atij agjencioni, e personi që na ka dëmtuar që tri vite askush nuk është marrë me të”, tha Hoxha.
Hoxha në fund tha se kjo nuk është vetëm dëmtim në baza ekonomike të një individi, por në baza familjare.
“Unë po t’i kisha në atë kohë 1050 euro të mija s’do t aplikoja hiç, po ato pare për vizë i kom marrë borxh” ishte deklarimi i Hoxhës.
Ai tha se të akuzuarin E.K. nuk e njeh dhe se nuk kishte dijeni se i njëjti ishte pjese e këtij rasti.
Se kishte dhënë 1050 euro, e nuk kishte marrë as kompensim, e as vizë, e tha edhe dëshmitari Arapi, i cili deklaroi se e ndien vetën të dëmtuar.
“Unë kam dhënë 1050 euro për tu pajisur me vizë, dëshmitari Jeton Ajdini më ka tregu se në Prishtinë po u rregullojshin viza pune. Në fillim jam taku me I.K., jemi marrë vesh se si bëhet pagesa, kontrata, e i akuzuari I.K., na ka thënë se do të na dërgojë në Gjermani”, tha Arapi.
Arapi tha se pasi që viza nuk i ishte dhënë dhe kishte dal edhe në media rasti, ai kishte lajmëruar rastin në polici ku edhe i kishte dorëzuar bisedat që kishte zhvilluar me tani të akuzuarin I.K.
Seanca e radhës për këtë rast do të vazhdojë më 11 dhjetor 2019 në orën 09:30, ku pritet të bëhet dëgjimi i disa dëshmitarëve.
Për këtë rast në seancën e 24 tetorit 2019, gjykata pas kërkesës së të akuzuarit M.Z., kishte marrë vendim që të akuzuarve mediat t’iu drejtohen vetëm me iniciale, duke mos zbuluar identitetin e tyre.
Por që një vendim i tillë ende nuk është dhënë në formë të shkruar nga gjykata.
Gjykimi ndaj M.Z. dhe dy të tjerëve ka nisur, pasi që të dy instancat gjyqësore e kanë konfirmuar aktakuzën ndaj tyre.
Gjykata e Apelit, në shkurt të këtij viti, kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të ish-deputetit M.Z., E.K. dhe I.K. lidhur me hudhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre.
Apeli kishte lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila gjithashtu kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të cilët kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.
M.Z., në seancën fillestare të mbajtur më 29 tetor të vitit të kaluar, ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale të mashtrimit, shmangies nga tatimi dhe pastrim të parave.
Të pafajshëm ishin deklaruar edhe dy të akuzuarit e tjerë.
Tre të akuzuarit, në konsultim me mbrojtësit e tyre, ishin pajtuar që aktakuza të konsiderohet e lexuar pasi që kanë thënë se e kanë lexuar më parë dhe e kanë kuptuar atë.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 28 gusht 2018, me pretendimin se të pandehurit I.K., M.Z dhe E.K. kanë kryer disa vepra penale.
I.K. dhe M.Z. akuzohen se prej vitit 2016 deri në mars te vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “I.Ki & M.Z Op”, si agjenci punësimi.
Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.
Tutje, pretendohet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit I.K., Fexhrije Krasniqi, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.
I.K. dhe M.Z., akuzohen se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3050 euro duke i ndarë proporcionalisht mes vete.
Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83,850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261,850.00 euro.
Me këtë, I.K. dhe M.Z. akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 335 i KPRK-së.
Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”.
I pandehuri I.K. akuzohet po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta.
Me ç’rast, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurit M.Z. dhe E.K. akuzohen edhe për veprat penale “pastrim i parave”, mashtrimi dhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”.
Kurse, i pandehuri M.Z., akuzohet se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”. /BetimipërDrejësi/