Një gjykatë turke ka vendosur të mbyllë çështjen e vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në ambientet e konsullatës saudite në Stamboll dhe t’ia dorëzojë Arabisë Saudite.
“Ne kemi vendosur t’ia dorëzojmë çështjen Arabisë Saudite”, njoftoi një gjykatës në gjykatën e Stambollit, e cila ka zhvilluar një gjyq në mungesë kundër 26 sauditëve të akuzuar që nga korriku i vitit 2020.
Vendimi pritej pasi ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag njoftoi javën e kaluar se do të jepte një opinion pozitiv me kërkesë të prokurorit që dëshiron ta mbyllë çështjen dhe ta transferojë atë në Arabinë Saudite, raporton bbc.
Për Turqinë, e cila po përpiqet të forcojë lidhjet me Riadin, për të cilën ka nevojë për të mbështetur ekonominë e saj të trazuar, është urgjente të heqë qafe këtë rast, i cili po tensionon marrëdhëniet e tyre.
Khashoggi (59), kritik i autoriteteve saudite dhe kolumnist i Washington Post, u vra më 2 tetor të vitit 2018 në konsullatën saudite, ku shkoi për të marrë dokumentet e nevojshme për t’u martuar me një shtetas turk. Trupi i tij nuk u gjet.
Vrasja kërcënoi marrëdhëniet turko-saudite. Megjithatë, Ankaraja, e përballur me krizën ekonomike dhe inflacionin, ka disa muaj që kërkon mënyra për t’u afruar me Riadin.
Për një nga avokatet e të fejuarës së Kashogi, Hatice Cengiz, vendimi është kundër ligjit dhe cenon sovranitetin turk.
E fejuara e ish-gazetarit, Chengiz, e cila po e priste atë para konsullatës saudite ku shkoi për të kërkuar disa dokumente në ditën e vrasjes, nuk pranoi të jepte asnjë deklaratë.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar se transferimi i çështjes në Riad do të mbulonte një vrasje në të cilën dyshohet princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman.
Amnesty International ka vlerësuar më parë se transferimi i çështjeve në Arabinë Saudite i jep fund çdo mundësie për drejtësi dhe vendos bindjen e sauditëve se ata mund të largohen edhe pas vrasjes. /Telegrafi/