Çështja e Gjykatës Speciale dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka krijuar përplasje të ashpër mes deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra dhe asaj të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
Deputetja, Blerta Deliu-Kodra u shpreh se kryeministri në detyrë Albin Kurti asnjëherë nuk është distancuar nga deklaratat e këshilltarit të tij Shkëlzen Gashi, të bëra ndaj UÇK-së.
“Qeveria nuk do të harrohet asnjëherë për diskursin kundër UÇK-së, unë jam tmerruar para dy ditësh kur kam lexuar një postim të një ish-deputetes të LVV-së, e cila thotë se menzi s’po pres që ta shohë që presidenti ta marrë biletën për të shkuar në Hagë. Po ashtu, kryeministri nuk është distancuar asnjëherë nga deklaratat e këshilltarit të tij, Shkëlzen Gashi”, tha ajo.
Si përgjigje, deputetja Arbërie Nagavci nga Vetëvendosje mohoi deklaratat e Blerta Deliut, duke e i rikujtuar asaj se kush ishin votuesit e Gjykatës Speciale.
“A e ke votuar Gjykatën Speciale, e turpshme është se si e keni sjell këtë Gjykatë. Kështu që mos fol kotë”, pohoi ajo në Klan Kosova.