Telegrafi

Gjykata ruse dërgoi gruan në trajtim të detyruar psikiatrik për postimet lidhur me luftën në Ukrainë

Gjykata e Qarkut Kalinin e Shën Petersburg dërgoi në trajtim të detyruar Viktoria Petrova, e cila u akuzua për përhapjen e informacionit të rremë për veprimet e ushtrisë ruse gjatë një ‘operacioni special’ në Ukrainë, njoftoi shërbimi i përbashkët i shtypit i gjykatave të qytetit.

“Gjykata i dha Petrovës masa mjekësore të detyrueshme në formë të trajtimit të detyrueshëm në një organizatë shëndetësore, e cila ofron kujdes psikiatrik në ambient spitalor, të llojit të përgjithshëm”, thuhet në njoftim.

Siç shtohet, Petrova do të duhet të kalojë së paku gjashtë muaj në një spital psikiatrik, transmeton Telegrafi.

Ky është vendimi i parë i tillë në Shën Petersburg në rastin e shpërndarjes publike të kinse informacionit të rremë për Forcat e Armatosura të Federatës Ruse. Ajo akuzohet se ka bërë disa ripostime dhe njoftime në mars 2022 në lidhje me luftën në Ukrainë, pra ‘operacionit special ushtarak’ në profilin e saj në rrjetin social.

Gjatë hetimeve, Petrova iu nënshtrua një ekzaminimi psikiatrik dhe u deklarua e çmendur dhe e paaftë për të kuptuar veprimet e saj. /Telegrafi/