Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e bordit për vendosjen e çmimeve të karburanteve në Shqipëri.
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare publike kërkesën e jo më pak se një të pestës të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë.
Shfuqizimi i ligjit nr. 42/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 8, datë 25.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë .
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe nenin 49, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,
VENDOSI:
Pranimin pjesërisht të kërkesës.
Shfuqizimin e nenit 21/10, pika 2, fjalia e dytë, të ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në shtator të vitit të shkuar, deputetët e Partisë Demokratike Dhurata Çupi Tyli dhe Dashnor Sula dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese padinë për bordin e çmimeve të karburanteve.
Sipas tyre bordi i ngritur për të mbajtur në kontroll çmimin, u shndërrua shumë shpejt në Klubin e Oligarkëve, ku vetë oligarkët e naftës në përbërje të Bordit caktonin edhe çmimin.