Pasi Gjykata e Posaçme GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të larguar gjyqtaren Ilirjana Olldashi nga shqyrtimi i ankimimit të Jamarbër Malltezit për sekuestrimin që i është bërë pasurive të tij, të njëjtin vendim e ka marrë dhe për Sali Berishën.
SPAK kërkoi të largonte Olldashin nga çështjet e Malltezit e Berishës për shkak të konfliktit të interesit.
Kujtojmë se gjyqtarja lehtësoi masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie për Malltezin.
Berisha dhe dhëndri i tij akuzohen nga SPAK në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, pas kallëzimit të bërë në vitin 2020 nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Malltezi u arrestua në Rinas më 21 tetor me urdhër të SPAK. Mbi të rëndojnë akuzat për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”.
Për të njëjtën çështje GJKKO ka caktuar masat e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe për Sali Berishën dhe sipërmarrësin Fatmir Bektashi, ortak i Malltezit dhe ndërtues i kompleksit të pallateve.
Ish-kryeministrit i është ndaluar dalja jashtë shtetit dhe mbi të është ngritur akuza e korrupsionit pasiv kryer në bashkëpunim. /Telegrafi/