Telegrafi

Gjykata e lartë e OKB-së thotë se prania e Izraelit në territoret e pushtuara palestineze është e paligjshme dhe duhet të përfundojë

Gjykata e lartë e OKB-së ka vendosur se prania e Izraelit në territoret palestineze është “e paligjshme” dhe i bëri thirrje Izraelit t’i jap fund pushtimit, duke vënë në dukje ndërtimin dhe zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, aneksimin e tij dhe vendosjen e kontrollit të përhershëm.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka lëshuar një vendim mbi ligjshmërinë e pushtimit 57-vjeçar të Izraelit në tokat palestineze dhe vendimi ka të ngjarë të ketë më shumë efekt në opinionin ndërkombëtar sesa në politikat izraelite.

Bëhet e ditur se paneli i gjykatës prej 15 gjyqtarësh nga e gjithë bota deklaroi se Izraeli ka abuzuar me statusin e tij si fuqi pushtuese në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor duke kryer politika të aneksimit të territorit, imponimit të kontrollit të përhershëm dhe ndërtimit të vendbanimeve.

Gjyqtarët thanë se Izraeli duhet të përfundojë menjëherë ndërtimin e vendbanimeve, shkruan AP, përcjell Telegrafi.

Kjo pasi akte të tilla e bëjnë “të paligjshme praninë e Izraelit në territorin e pushtuar palestinez” dhe prania e tij ilegale duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.

Izraeli, i cili normalisht i konsideron Kombet e Bashkuara dhe gjykatat ndërkombëtare si të padrejta dhe të njëanshme, nuk dërgoi një ekip ligjor në seancat dëgjimore.

Por, dorëzoi komente me shkrim, duke thënë se pyetjet e bëra në gjykatë nuk adresojnë shqetësimet e sigurisë izraelite.

Zyrtarët izraelitë kanë thënë se ndërhyrja e gjykatës mund të dëmtojë procesin e paqes, i cili ka ngecur për më shumë se një dekadë.

Në opinionin e lexuar nga kreu i gjykatës Nawaf Salam, thuhet se “transferimi nga Izraeli i kolonëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem, si dhe ruajtja e pranisë së tyre nga Izraeli, është në kundërshtim me nenin 49 të Konventës së Katërt të Gjenevës”.

Gjykata gjithashtu vuri në dukje me “shqetësim të madh” se politika e vendbanimeve të Izraelit është zgjeruar.

Ndryshe, në një rast të veçantë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po shqyrton një pretendim të Afrikës së Jugut se fushata e Izraelit në Gazë përbën gjenocid. /Telegrafi/