Politikani serb që udhëheq Zyrën e Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, ka zgjedhur një thënie britanike për të shpjeguar marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve.
“Paragjykimet janë zinxhir i thurur nga zilia, për t’i larguar njerëzit nga njëri-tjetri”, ka thënë ai në takimin e radhës të “Forumit të grave ndërmarrëse mes Kosovës dhe Serbisë”, që organizohet nga Instituti kosovar Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe TransConflict nga Serbia.
“Nuk ka dyshim që mendimet tona për krahinën jugore janë të kundërta, megjithatë kemi një gjë të përbashkët që duhet ta përmirësojmë e që janë marrëdhëniet ndërmjet nesh. Jemi përgjegjës që me punën tonë, por jo vetëm ne si institucione qeverisëse, por edhe si shoqëri, të ndihmojmë në përmirësimin e kushteve për popullin tonë”, ka thënë Gjuriq, transmeton Telegrafi.
Denis Keefe, ambasador i Britanisë së Madhe në Beograd – shtetit që e mbështet këtë forum – ka thënë se BE-ja dhe Britania e Madhe do të jenë të gatshme që të mbështesin të dyja shoqëritë në përmirësimin e marrëdhënieve sepse, sipas tij, kjo është domosdoshmëri e kohës.
“E shohim këtë si formë e përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe pse jo edhe me vendet tjera në rajon dhe gjithë Evropën”, ka thënë ai.
Lendita Kastrati, drejtoreshe e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës (G7), ka thënë se ky institucion kosovar do të jetë i gatshëm që të mbështes gratë që merren me biznes në të dyja vendet.
“Dhoma ekonomike e Kosovës është e hapur dhe e gatshme që t’ju ofrojë ndihmë të gjitha atyre grave nga të dyja vendet që dëshirojnë të fillojnë me ndërmarrësi në Kosovë”, ka thënë ajo.
Shpend Emini nga D4D ka thënë se forumi ka për qëllim përafrimin e dy vendeve në kuadër të bashkëpunimit.
“Për këtë ne kemi zgjedhur një rrugë praktike, atë të bashkëpunimit mes grave ndërmarrëse nga Kosova dhe Serbia. Për më shumë se një vit e gjysmë, jemi duke organizuar takime e konferenca ndërmjet grave ndërmarrëse, si në Kosovë e tash edhe në Serbi, me qëllim të realizimit të synimit tonë. Deri më tani rezultatet kanë qenë mjaft pozitive. Presim që edhe rezultatet e mëtutjeshme të jenë po ashtu pozitive”, ka thënë ai. /Telegrafi/